Qyteti i sotëm i Durrësit u ndërtua dhe u zhvillua mbi shtresëzimet e qytetit antik te Epidamnos – Dyrrachion, i themeluar si polis në shekullin VII p.e.s. nga Korkyra dhe Korinthi. Jeta e qytetit, me gjurmët e hershme e më pas me ndërtimet të sotme duket të jetë një vazhdimësi e pandërprerë. Në këtë sit dokumentohen shtresa arkeologjike nga lashtësia deri në kohët moderne. Dëshmitë arkeologjike lidhur me themelimin e kolonisë greke të Epidamnos – Dyrrachion, në përgjithësi gjenden duke filluar në një thellësi nën 4 m nga sipërfaqja e sotme. Mbetjet e dukshme nga periudhat klasike, helenistike dhe romake janë shumë të pakta dhe jo të dukshme në sipërfaqe. Monumentet e periudhave më të hershme, ato të periudhës pre – romake, janë shumë të te pakta në krahasim me periudhat bizantine dhe ato të mëvonshme. Monumentet më përfaqësuese përbëhen nga një altar i shekullit të 4-të p.e.s., i zbuluar në zonën e ish-kënetës, depozita votive që i përkasin kultit të Artemisit, mbase pjesë e kompleksit të sanktuarit të Artemisionit. Në zonën veriore përreth qytetit u zbuluan dy sanktuarë, rrënojat e një tempulli në kodrat pranë Spitallës si dhe themelet dhe struktura të dëmtuara të Kepit të Shën Palit (Bishti i Pallës), të dy monumente të panjohura më pare dhe të vetmet struktura in situ, nga gjurmët e tjera të faltoreve të dokumentuara kohë pas kohe. Perënditë tutelare të këtyre sanktuarëve ekstra urbane janë ende të panjohura. Monumentet në fjalë i përkasin periudhave një arkaike dhe helenistike.
Po ashtu, përmendim edhe varrezat e periudhave klasike dhe helenistike, në kodrat e Dautëve dhe Kokomanëve dhe një numër i madh varresh të periudhave helenistike, romake, dhe të antikitetit të vonë, zbuluar së fundmi gjatë gërmimeve të shpëtimit në afërsi të shkollës Eftali Koçi.
Përveç këtyre mbetjeve të hershme të qytetit, disa site të rëndësishme u dokumentuan në kodrat veriore të Durrësit gjatë Projektit Arkeologjik Rajonal të Durrësit (DRAP). Projekti lokalizoi rreth 30 site të reja potenciale, që i përkasin kryesisht epokave pre-romake, përmes vrojtimit intensiv sipërfaqësor.
Gjithashtu, në vitin 2002, një grup ndërkombëtar arkeologësh zbuluan një pjesë të murit rrethues të qytetit, datuar në periudhën helenistike dhe romake, pranë hyrjes kryesore të portit aktual.
Mbetjet e epokës romake janë më të dukshme dhe më të ruajtura se fazat e mëparshme, kështu që ato përfaqësohen më dukshëm në të dhënat arkeologjike. Përveç amfiteatrit romak, vlen të përmendet macellum-i dhe banjat romake, të cilat u integruan si një site të trashëgimisë kulturore nën ndërtesën qendrore të Pallatit të Kulturës. Këmbët e ujësjellësit romak të Epidamnos – Dyrrachion dhe struktura të tjera të lidhura me to (tunele dhe puse) u gjetën gjatë punimeve bujqësore në periudhën e socializmit. Këto struktura datojnë në gjysmën e parë të shekullit II e.s.
Ideuar dhe zbatuar nga Sabian Hasani, Matthew Naglak dhe Tyler Duane Johnson me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Departamentit të Arkeologjisë së Universitetit të Tiranës.

