Eftali Koçi


Historia dhe harta e Durrësit pre-romak dhe atij romak u pasuruan së fundmi me monumentet që dolën në dritë gjatë gërmimeve në shkollën Eftali Koçi pas prishjes së saj për shkak të dëmeve që pësoi nga tërmeti i vitit 2019. 

Shkolla u planifikua të rindërtohej me mbështetjen e UNDP-së (EU4Schools) dhe si rrjedhim gërmimet arkeologjike ishin të nevojshme për të identifikuar, dokumentuar dhe vlerësuar mbetjet e trashëgimisë kulturore që mund të prekeshin nga aktiviteti ndërtimor.

Zona në fjalë ndodhet në veriperëndim të portit modern të Durrësit, në pjesën e poshtme të shpateve lindore të kodrave të Dautajve jo larg vendeve të përmendura më parë. Varreza apo nekropoli në kodrat e Dautajve ndodhet jo larg terrenit të shkollës, ndërsa vendndodhja e depozitave votive të Artemisionit është vetëm 480m nga shkolla.

Zona e hulumtuar dominohet nga mbetje arkeologjike që datojnë në periudhat më të hershme, (nga periudha arkaike, klasike dhe helenistike). Në thelb, ato përfaqësohen nga mbetjet e një muri, si dhe shtresa kulturore me një prani të konsiderueshme të gjetjeve të ndryshme si qeramikë, tulla dhe tjegulla. Pra, monumenti më përfaqësues është trakti i një muri gjatësor me orientim Lindje-Perëndim, i cili ruhet në nivelin e themelit dhe mund të interpretohet si një mur fortifikues. Kjo strukturë duhet të ketë qenë ndërtuar në kreshtën e një kodre të butë, që dikur përshkohej nga burime ujore, siç dëshmohet nga prania e dy puseve të identifikuara rrëzë shpatit të dikurshëm verior të kodrës.

Në pjesën lindore të gërmimit, përveç traktit të murit antik që u dokumentua si ndërtim i periudhës arkaike në fazën e tij të parë, u vunë re edhe ndërhyrje në periudha të mëvonshme, pikërisht mbi fazat e periudhës helenistike. Janë dokumentuar rreshta tullash të shtruara me kujdes, një lloj superstrukture në trajtën e një kulle. Po ashtu u identifikua edhe një hyrje tjetër, ndoshta e periudhës helenistike, e që ishte bllokuar në një faze më të mëvonshme me rreshta tullash.

Dy struktura të tjera janë të pranishme, ndoshta dy këmbë të një ujësjellësi të periudhës Romake. Pjesët e sipërme të tyre janë shembur dhe rreth tyre evidentohej një depozitë e madhe shembjeje kryesisht me rrëzim tullash.

Muri fortifikues ka faza të ndryshme. Faza më e hershme, e ruajtur në nivelin e themelit i tij, ka gjasa të datojë në periudhën arkaike. Muri është rreth 4.7 m i gjerë dhe përbëhet nga dy rreshta blloqesh drejtkëndëshe me një mbushje gurësh të mëdhenj mes tyre. Blloqet drejtkëndore janë kryesisht prej guri konglomerat (material lokal nga bregu i detit aty pranë), si dhe disa prej gurësh shtuforë dhe gëlqerore. Këto blloqe janë të punuara mirë dhe të vendosura pa material lidhës. Vërehen të paktën katër rreshta blloqesh izodomike të vendosura mbi njëra-tjetrën. Si në anën perëndimore ashtu dhe në atë lindore, muri fortifikues vazhdon përtej kufirit të gërmimit.

Ky mur duket të jetë ndërtuar mbi një kodër të butë dhe pjesa lindore e zonës është dukshëm më e ulët në kuotë. Në këtë pjesë, ndoshta dhe për shkak të kuotës më të ulët, mbi mur gjenden dëshmi të fazave të mëvonshme. Ajo që ruhet më së shumti është një ndërtim me tulla, pjesa më e madhe e të cilit është shembur gjatë shekujve, çka dëshmohet nga depozita të mëdha shembjesh së tullave dhe tjegullave përreth.

Ky trakt muri mund të jetë pjesë e murit rrethues verior të qytetit, i cili ndan zonat urbane nga ato periferike, ku shtrihet dhe nekropoli që daton në periudhat arkaike, klasike dhe helenistike. Kjo ide përforcohet nga një tekst i shkruar nga Appiani i Aleksandrisë (BC II 60) kur përshkruan sulmin e Çezarit, të ndihmuar nga një tradhtar vendas. “… shkoi (…) me një forcë të vogël natën në portat e tempullit të Artemisit”.

Pikërisht ky trakt muri dhe portat e tij, janë hyrjet për në tempullin e Artemisionit. Vendndodhja e depozitave votive të Artemisionit është në afërsi të mbetjeve të murit të sapo gërmuar, jo më larg se 480m.

Të gjitha imazhet © Sabian Hasani, Projekti Arkaeologjik “Eftali Koçi”


sqShqip